Prokuroria Themelore Publike ka kërkuar nga Gjykata Penale në Shkup që të shqiptojë masën e paraburgimit ndaj shoferit 64-vjeçar B.B. nga Shkupi, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e djeshëm në rrugën Shkup-Bllacë, ku si pasojë vetura me targa të Kosovës ra në lumin Lepenc, ndërsa sot nga ujërat u nxor automjeti me tre viktima.
Nga Prokuroria thonë se do të urdhërohet edhe autopsi për tre viktimat në mënyrë që të zbardhet rasti.
“Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup sot ka vazhduar kontrollin në vendin e aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi dje në rrugën Shkup-Bllacë. Pas nxjerrjes së veturës BMW me targa të Kosovës dhe tre trupave të pasagjerëve të ndjerë nga ujërat e lumit Lepenec, do të urdhërohet autopsi, ndërsa prokurori publik do të koordinojë të gjitha veprimet për sigurimin e provave për zbardhjen e ngjarjes. Deri në zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit në komunikacion, prokurori publik sonte në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 48 orësh për personin që është mbajtur pas aksidentit të djeshëm. Bëhet fjalë për një 64-vjeçar, banor i Shkupit i cili drejtonte veturën “Volkswagen Touran” me targa të Shkupit dhe i cili në momentin kritik ka parakaluar kolonën e automjeteve në të cilën ndodhej edhe vetura nga Kosova. Propozimi për caktimin e paraburgimit afatshkurtër është dorëzuar për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezik për arratisje”, thonë nga Prokuroria.
