Kica-Xhelili pas incidentit të djeshëm në Prishtinë: Institucionet urgjentisht të merren me trajtimin e posedimit të armëve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar nga sistemi i drejtësisë që të merret me incidentin që ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë.

Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se duhet të trajtohet seriozisht çështja e posedimit të armëve pa leje.

“Shumë dhimbje sot! E tronditur dhe e lënduar thellësisht nga tragjedia mbrëmë në një lokal në Prishtinë! Tanimë 1 viktimë ka ndërruar jetë ndërkaq konfirmohen 17 të lënduar me armë zjarri dhe mjete tjera”.

“Në raste si ky nuk ke si të mos mendosh për drejtimin që po merr shoqëria jonë, për mungesën e mirëkuptimit e vlerësimit të jetës e dinjitetit të njëri tjetrit, për arsyet e këtij mllefi kolektiv e për domosdoshmërinë e një rikëndelljeje mbarëshoqërore”.

“Posedimi i armëve pa leje në Kosovë po shndërrohet në tmerr e frikë të përditshmërisë sonë!
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet ta mendojnë seriozisht dhe urgjentisht trajtimin e posedimit të armëve në Kosovë, ndërkaq pres nga sistemi i drejtësisë ta zbardh këtë rast dhe kryerësit t’i mbaj përgjegjës”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Po ashtu, ajo u ka shprehur familjeve ngushëllime për viktimat dhe të lënduarve u ka uruar shërim sa më të shpejtë.