Ish-ministri i brendshëm i Shqipërisë, Dritan Demiraj sot në një lidhje direkte për emisionin “N’kolonë me shoqen” në Radio Prishtina ka folur për situatën në veri pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
Demiraj ka thënë se situata në Kosovë e rrezikshme e këtë fakt ai e lidh edhe me nisjen e konfliktit në mes Izraelit e Palestinës, teksa u shpreh se SHBA-ja në këtë kohë ka vëmendjen pra nga ky konflikt, raporton drejt.info.
I pyetur për reagimin ndaj terroristëve serbë në Banjskë, koloneli Demiraj ka thënë se ishte profesional dhe duhet vlerësuar lartë, sepse sipas tij duke marrë parasysh armët e shumta që kishin terroristët, të shtënat pa ndalë dhe rrezikshmërinë Policia e Kosovës ia doli shumë mirë.
Ai ndër tjera tha se ende ekziston rreziku për një përshkallëzim të situatës në veri, teksa u bëri thirrje liderëve kosovar dhe institucioneve të sigurisë që të jenë më të vemendshëm karshi kësaj çështjeje.
“Tani mendoj se shtimi i pranisë së policëve në veri duhet të jetë primar dhe se njësitet policore nuk duhet të jenë vetëm, por grupe më të mëdha në mënyrë që të mos kenë mundësi që të ndërmarrin operacione të tilla”, u shpreh ai ndër tjera në Radio Prishtina. /drejt.info/
Koloneli Demiraj thotë se situata në veri është e brishtë pas konfliktit Izrael-Palestinë
