Në shënimin e ditës memoriale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës Çlirimtare të Kosovës, Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës deklaron se nderon të gjithë personat e mbijetuar, duke shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën e palodhshme në procesin e njohjes së statusit të tyre.
Me anë të një komunikate për media bëhet e ditur se komisioni në fjalë siguron konfidencialitet gjatë shqyrtimit dhe vendosjes për rastet që aplikojnë për njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës dhe bëhet thirrje që të mos mungojë përkrahja ndaj tyre.
“Të mbijetuarat/it e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme nga institucionet, për më shumë mbështetje nga familja, komuniteti dhe shoqëria. Andaj me shënimin e kësaj dite i bëjmë thirrje, të gjithë shoqërisë që të mbështesin të mbijetuarit për t’u përballur me pasojat e krimeve mizore të cilat i përjetuan, dhe t’u qëndrojnë pranë në rrugëtimin për realizimin e plotë të të drejtave të tyre ligjore”, thuhet mes tjerash në kumtesën për media.
