Konjufca dënon sulmin ndaj gazetarëve: Ndërkombëtarët mos ta tolerojnë më Serbinë

ryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dënuar ashpër sulmin brutal ndaj gazetarëve sot në Leposaviq.

Në një postim në Facebook, Konjufca ka shkruar se ky sulm dhe tjerat sulme vërtetojnë qartë se Serbia zyrtare nuk ka dhënë asnjë urdhër për të ndalur grupet kriminale dhe aktet e tyre të dhunës në veri të Kosovës.

“Edhe sulmi i sotëm i grupeve të maskuara kriminale ndaj gazatarëve të medieve kosovare, tregon se Beogradi nuk ka dhënë asnjë urdhër dhe shenjë ndaj këtyre grupeve që i menaxhon për ta qetësuar situatën në veri të Kosovës. E dënoj ashpër këtë sulm mbi gazetarët dhe kërkoj që kriminelet të vihen para drejtësisë”, ka shkruar Konjufca.

Kryeparlamentari ka qenë i prerë në kërkesën ndaj ndërkombëtarëve që ta shtojnë presionin ndaj Serbisë dhe tha se këto veprime kriminale të serbëve nuk duhet kaluar pa ndëshkim, meqë vetë shteti serb është shkaktari kryesor i brutalitetit që po ndodh atje.

“Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Europian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, ka shkruar Konjufca.

Ndryshe, protestuesit kriminelë serbë sot sulmuan brutalisht ekipet e medieve të Kosovës, duke mbetur të lënduar disa kameramanë, ku kameramani i RTK-së pësoi lëndime të renda në kokë dhe trup pas sulmit direkt që iu bë me shqelma nga një protestues i maskuar.