Konjufca pas rrahjes në kuvend: Të përpiqemi ta kalojmë këtë ditë të vështirë për vendin

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjfuca, pas rikthimit të seancës, të cilën e ndërpreu dhuna, tha se kuvendi i ka rezistuar akteve të dhunës fizike prej vitit 2001.

Ai tha se deputetët dhe partitë mes vete kanë pasur probleme të natyrave të tjera, por jo në kuptimin fizik “drejt fytyrës, kokës e trupave me ia mësy njëri-tjetrit, siç e pamë sot në kuvend”.

“Ne i kemi betejat tona. Ne i kemi mosmarrëveshjet tona, ne i kemi si forca politike papajtueshmeritë tona të thella ndonjëherë, por ato mospajtime, gjithmonë, i bëjmë nder vendit, nëse i mbajmë në nivelin e funksionimit të domosdoshëm, minimumit normal të funksionimit të institucioneve tona, të cilat edhe monitorohen dhe shikohen prej qytetarëve e botës të jashtme”.

“Deri tash ia kemi arritur me sukses dhe janë më shumë se dy vjet që ekziston kjo legjislaturë. Unë iu bëjë thirrje që ta merrni me qetësi punën që e bëjmë së bashku dhe të përpiqemi që ta kalojmë këtë ditë të vështirë dhe këto momente të vështira për vendin tonë”, tha ai, njofton Klankosova.tv

Më tej, Konjufca iu bëri thirrje të gjithë deputetëve që të kenë një minimum të një sjellje e cila sipas tij, do t’i kishte gëzuar të gjithë qytetarët, teksa tha se ka biseduar me Kurtin dhe ky i fundit është pajtuar që të tërhiqet nga mbajtja e fjalës së tij.

“Ne s’i kemi kursyer fjalët më të rënda për njëri-tjetrin, por ato janë fjalë. Në momentin kur kalohet prej fjalëve në goditje, ato si veprime pastaj s’janë vetëm që trajtohen vetëm në kuvend, por ato e tejkalojnë kuvendin, pastaj janë një pushtet krej i vecantë me të cilat merret. A është për deputetin, si posti më fisnik në vendin tonë, e denjë një sjellje e tillë. Unë them që jo”.

“Meqenëse është puna kështu, unë fola edhe me kryeministrin. Ai po heq dorë nga fjala e tij që e pat, dhe ne si deputetë e kemi një mirëkuptim për njëri-tjetrin, për të vazhduar te një pikë tjetër, vazhdojmë te pyetjet parlamentare dhe është procedura normale, atëherë këtë e presin qytetarët prej nesh, e të gjitha ato të tjerat duhet të merren organet kompetente”, tha Konjufca.

Tutje, kreu i kuvendit tha se uron që sjelljet që u panë sot në seancë të mos përsëritën më.

“Iu kisha lutur si kryetar i kuvendit, për këtë kapitull të ri që duhet hapur pas kësaj dite të vështirë, pas atyre veprimeve të papranueshme të cilat i pamë, urojmë që të mos përsëritën më”.

“Nëse e kam këtë mirëkuptim prej krejt deputetëve, mirë, por nëse jo, atëherë do të ishte një ogur i zi për Kosovën, i cili na con në faza krejt të paparashikueshme, edhe për Kosovën por edhe për qytetarët”, tha Konjufca.