Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në Ditën e Infermierisë ka uruar nënën e tij, Ediben, e cila tash e 45-së vite është në shërbim të pacientëve si dhe ka falenderuar të gjithë infermierët e vendit për kontributin e tyre.
“Nëna ime Edibja, tash e 45 vjet është në shërbim të qytetarëve të vendit si infermiere. Një kontribut i gjatë dhe jo pak i lodhshëm, por, që unë e di se po të kishte mundësi – ajo do ta bënte përsëri nga dita e parë. Dhe, këtë, për dy arsye: E para, sepse ky është profesioni i infermierit: një jetë në shërbim të tjerëve – posaçërisht atyre që kanë më shumë nevojë. Shumë punë, sakrificë e mund për ta bërë tjetrin të ndihet më mirë. Dhe, e dyta, sepse kështu janë nënat tona. Plot pasion, zemër dhe empati. Prandaj, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Infermierëve, dua që të falënderoj jo vetëm nënën time, por të gjithë infermierët e vendit tonë, vijën e parë të kujdesit shëndetësor, të cilët japin shpirtin për të na mbajtur të sigurtë dhe të shëndetshëm. Përkushtimi, dhembshuria dhe profesionalizmi juaj bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm në jetën tonë si individë, në familjet tona dhe në shtetin tonë. Prandaj, faleminderit për gjithçka që jeni dhe gjithçka që bëni”, shkruan Krasniqi në Facebook.
