Kreu i Grupit Wagner të Rusisë tha se kundërofensiva e Ukrainës ka të gjasa të fillojë pas 2 majit, pasi ai paralajmëroi se luftëtarët e tij mercenar nuk kanë municion të mjaftueshëm.
Yevgeny Prigozhin, tha të mërkurën në një audio-mesazh të postuar në aplikacionin Telegram se kundërsulmet ukrainase ishin “të pashmangshme” dhe se Kievi po dërgon njësi të trajnuara mirë në qytetin e rrethuar të Bakhmut, ku betejat e përgjakshme janë ndezur për muaj të tërë.
Por “ne do të avancojmë me çdo kusht, vetëm për të mposhtur ushtrinë ukrainase dhe për të prishur ofensivën e tyre”, tha ai.
Trupat ukrainase do të fillojnë të sulmojnë muajin e ardhshëm, kur moti të përmirësohet dhe toka të ngurtësohet, shtoi ai.
Prigozhin, i cili ka kohë që është grindur me Ministrinë ruse të Mbrojtjes për mungesën e armëve, përsëriti pakënaqësinë e tij dhe tha se luftëtarët e tij po pësonin një nivel të lartë viktimash.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje pse forcat ruse nuk kishin nisur ende misione për të marrë qytetet e afërta të Slovianskut ose Kramatorskut për të lehtësuar presionin mbi Bakhmutin.
Kundërofensiva e Ukrainës pritet këtë pranverë dhe javët e fundit, zyrtarët në Kiev kanë thënë se sulme në shkallë të gjerë mund të ndodhin në çdo moment. Më 11 prill, Prigozhin tha se më shumë se 80 për qind e Bakhmutit kontrollohej nga forcat e tij Wagner, gjë që Ukraina e ka mohuar, shkruan AlJazeera, transmeton Klankosova.tv.
