Kurti arsyeton tërheqjen e “25 përqindëshit tjetër” të policisë nga veriu: Siguria është e mirë, situata është e qetë

Këtë të premte ka nisur tërheqja edhe e një pjese tjetër të Policisë së Kosovës nga ndërtesat e objekteve komunale në veri të vendit.

Kryeministri Albin Kurti e ka arsyetuar këtë duke thënë se situata atje është e qetë.

“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in. Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mire”, ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk ka incidente të theksuara e protesta të dhunshme.

“Ne po zbatojmë me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim. Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”, ka thënë ai ndër të tjera.