Kurti: Marrëveshja për ankandin diellor është mbi 200 milionë euro

Teksa këtë të enjte u realizua një hap i rëndësishëm në arritjen e objektivave të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Konferencën e Para Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW.

Sipas kryeministrit, ankandi i parë diellor që po pritet të krijohet në Kramovik ka potencialin të sigurojë energji elektrike për pothuajse 20.000 familje, projekt ky i cili hap rrugën drejt projekteve të mëtejshme të energjisë së rinovueshme në Kosovë.

“Kjo pasqyron angazhimin tonë për një axhendë kuptimplot të ndryshimeve klimatike, mirëqenien e qytetarëve tanë dhe kalimin tonë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme energjetike. Për më tepër, ne jemi në proces të finalizimit të Ligjit për Energjitë e Rinovueshme, i cili përfshin praktikat më të mira globale në industrinë e energjisë së rinovueshme dhe ofron siguri ligjore dhe rregullatore për investitorët e mundshëm”, shtoi kryeministri.

Ai theksoi se investimi për ankandin e parë diellor përbëhet nga një marrëveshje mbi 200 milionë euro me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit për sistemet e ruajtjes së baterive, një marrëveshje ndërmjet Korporatës sonë Energjetike dhe General Electric për modernizimin e termocentralit “Kosova B”, dhe një marrëveshje prej 160 milionë euro me Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ndërtuar kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *