Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar qytetin e Prizrenit.
Gjatë qëndrimit atje vizitoi institucione të ndryshme në këtë qytet me plot trashëgimi historike e kulturore.
Vizitën e tij, Kurti e ka filluar në Këshillin e Bashkësisë Islame, për t’i uruar për festën e Bajramit.
“Fillimisht u ndal për vizitë te hamami shumëshekullor i njohur si “Hamami i Gazi Mehmed Pashës” i cili është një monument në të cilin janë të kombinuar traditat orientale me ato lokale, e që është shndërruar në një nga simbolet shpirtërore të qytetit”.
“Pastaj pa nga afër finalizimin e punës tek Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, dhe është dëshmia e radhës e lashtësisë mijëravjeçare së qytetit. Qeveria e Kosovës është duke mbështetur projektet e restaurimit të lokalitetit që sa më shpejt t’i prezantohet edhe publikut, si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
“Për të vazhduar pastaj te Katedralja “Zonja Ndihmëtare” në Prizren, e cila përveç vlerës së rëndësishme historike, ka vlerë të lartë estetike, shoqërore, kulturore dhe edukative. Kjo Katedrale është në mesin e shumë aseteve të trashëgimisë kulturore të restauruara gjatë qeverisjes se deritanishme”.
Kurti vizitën e tij e ka përmbyllur me vizitën në kinema, për të ndjekur një koncert.
“Vizitën e tij në Prizren, kryeministri Kurti e përmbylli në Kinemanë Lumbardhi, për të ndjekur koncertin “Harmonia e Kulturave” nën interpretimin e solistes Rejhane Kodrazi, pianistes Eda Vllaço dhe vilolinistit, Avni Thaqi”, thuhet tutje në njoftim.



