Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se Qeveria do të bëjë gjithçka që është e mundur për lirimin sa më të shpejtë të tre policëve të kidnapuar nga forcat serbe.
I ndaluar nga gazetarët, Kurti ftoi edhe njëherë ndërkobëtarët që ta dënojnë këtë akt të shtetit serb.
I pari i ekzekutivit njoftoi se nga e hëna, shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, do t’i vizitojë policët në vendin ku po mbahen të burgosur.
“Jemi duke bërë çdo gjë që ata të lirohen sa më shpejtë, të pacenuar, ndërkaq në anën tjetër i ftojmë edhe njëherë faktorin ndërkombëtar që ta dënojnë agresionin e Serbisë me 14 qershor, ku njësitë e tyre ushtarake e policore rrëmbyen policët tanë, njësiti antiterror dhe ai Kobra i ushtrisë, tre policiët tanë në Leposaviq, të cilët ndodheshin pikërisht tek një rrugë e mbyllur ilegale e kontabandës. Sipas të gjitha gjasave, në bazë lajmeve që kemi, në fillim të javës që vjen, ambasadori Jetish Jashari, i cili përndryshe është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd do të arrijë t’i vizitojë këta tre policë”, tha Kurti para gazetarëve.
