Kuvendi një minutë heshtje për Nimanin, Konjufca thotë se la gjurmë të thella artistike

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për akademikun Shyqri Nimani i cili u nda nga jeta sot.

Kryetari i Kuvendit, Glaukj Konjufca, e quajti të rrallë dhe unik, përderisa përmendi kontributet e Nimanit ndër dekada.

“Sapo morëm lajmin e hidhur që ka ndërruar jetë akademiku dhe artisti ynë i madh, Shyqri Nimani. Mjeshtri i arteve të bukura isht njëri nga emra më kulmorë të artit në vendin tonë, i cili la pas vetes një karrierë të bujshme dhe me gjurmë të thella artistike me shumë vepra të tij të cilat i gjejmë prej simboleve të Kosovafilmit e deri te Universiteti i Prishtinës”, ka thënë Konjufca në adresimin e tij në Kuvend.

“Ai veproi për dekada të tëra dhe përmes veprave të tij ka zënë me meritë të plotë dhe të padiskutueshme vendin e nderit në listën e gjatë të krijuesve dhe të studiuesve të kohës sonë”.

Konjufca përmendi edhe ndër krijimet më të famshme të Nimanit – të shkruarit me kaligrafi të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

“Shkronjat e tij të arta mund t’i gjeni edhe në deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës në të cilën ai punoi për 16 orë të tëra për ta përfunduar”.

“Ishte një njeri i rrallë, një artist unik, shembull për angazhimin e vazhdueshëm për shoqërinë tonë”.

“Ai po ashtu ishte njëri nga themeluesit e Departamentit të Dizajnit Grafik në Fakultetin e Arteve të Universiteti të Prishtinës, ndërsa ka botuar disa monografi reprezentative dhe më të rëndësishmet mbi trashëgiminë kulturore shqiptare”.