Emisari i Bashkimit Europian për Ballkanin Miroslav Lajçak, i cili merret me lehtësimin e bisedimeve Kosovë -Serbi, ka folur rreth propozimit të Edi Ramës për konferencë ndërkombëtare, nga e cila “Kurti dhe Vuçiq nuk do të dilnin pa arritur marrëveshje”.
Lajçak ka thënë se me këtë propozim Rama ka shkuar dje te Shefi i Diplomacisë Europiane Josep Borell.
“ Është nismë e Edi Ramës. Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin ai erdhi. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore evropiane. Por sigurisht, platforma më e mirë për zgjidhjen e çështjeve është dialogu dhe ne duhet t’i kthehemi dialogut” ka thënë Lajçak.
