Lushtakut i vjen ftesa nga Prokuroria për ngjarjet e sotme në Kuvend

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka pranuar ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në lidhje me ngjarjet e sotme të dhunshme në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar vetë deputeti Lushtaku.

“Sapo më njoftuan nga zyra e grupit tonë parlamentar të PDK-së, se kam pranuar një ftesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, për t’u deklaruar rreth ngjarjes së sotme”, ka shkruar ai.

Tutje, Lushtaku tha se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, “pasi të përfundojë seanca në Kuvendin e Kosovës”.

Kujtojmë se ishte Lushtaku ai që i hodhi ujë kryeministrit Albin Kurti teksa ky i fundit ishte duke mbajtur fjalim në Kuvendin e Kosovës.

Ky veprim i Lushtakut nxiti reagime të ashpra nga aktorët e pushtetit, të cilët i dolën në mbrojtje shefit të tyre, duke u përleshur edhe fizikisht me deputetët e PDK-së.