Marrëveshjet që lidhen për punë të ndryshme vendin tonë jo rrallëherë dalin të jenë vetëm mashtrime, me qëllim përfitimin e shumave të majme të parave. Qytetarë të shumtë shpesh bien pre e mashtruesve, të cilët arrijnë t’i vënë në lajthitje dhe t’ua kapin sado pak para apo edhe gjësende me vlerë. Raste të tilla tashmë janë bërë të zakonshme dhe në shumicën prej tyre bëhet fjalë për mijëra e miliona euro
Për një rast të tillë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas denoncimit të një 27-vjeçari, i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi është mashtruar nga një person me të cilin kishte lidhur marrveshje. Këtu bëhet fjalë për dy vetura, që kapin vlerën e 65 mijë eurove, të cilat viktima ia ka dhënë të dyshuarit si paradhënie për të siguruar kryerjen e disa punëve që lidhen me dy shtëpi.
Në vend të parave, i riu ia ka dhënë të dyshuarit si kapar, automjetet GOLF 8 dhe BMw, të cilat ai ka pasur për t’ia kthyer në momentin që do të përfundonte marrëveshja mes tyre. Por bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari nuk është bërë i gjallë nga ai moment dhe veturat dyshohet se i ka shitur.
Gjatë kësaj kohe, ai dyshohet se ka kryer punët e tij, duke i shfrytëzuar ato vetura. Të njëjtat burime thonë se i njëjti i ka shitur automjetet për t’i shlyer borxhet e tij.
