Nga korriku i vitit të kaluar deri në fund të qershorit të këtij viti janë raportuar rreth 2 mijë e 800 raste të dhunës në familje.
Nga këto raste janë 2 mijë e 165 gra të cilat kanë raportuar në polici dhunën që është ushtruar ndaj tyre. Kështu u tha në mbledhjen e komisionit hetimor parlamentar në lidhje me rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje.
Kjo ishte edhe mbledhja konstituive e këtij komisioni, ku mes tjerash u bë e ditur se në pesë muajt e parë të këtij viti janë raportuar 27 raste të sulmeve seksuale.
Kryesuesja e këtij komisioni, Albana Bytyqi, tha se mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20 për qind e tyre janë gra.
“Në bazë të statistikave të cilat i kemi nxjerr dhe rastet që janë për dhunën në familje, raportimi i rasteve të dhunës në familje të raportuara në Policinë e Kosovës nga periudha 1 korrik 2022 deri më 30 qershor 2023, numri i rasteve të raportuara në Polici është 2735 raste, prej tyre 2 mijë e 165 gra dhe 559 burra. Mbi 80 për qind e të dyshuarve për dhunë në familje janë burra, ndërsa 20 për qind e tyre janë gra. Nga kjo statistikë i bie që në çdo pesë persona të dyshuar si kryes të dhunës në familje, katër prej tyre janë burra dhe një është grua. Numri i rasteve ndërmjet të dyshuarit dhe viktimës, 2 mijë e 162 raste janë Bashkëshort-Bashkëshorte, 120 raste fëmijë-prind, 462 raste janë prind-fëmijë dhe 123 raste janë vëlla e motër”, tha Bytyqi.
