Kanë kaluar më shumë se një javë që kur ka filluar dhënia e dëshmive të dëshmitarëve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E në këto gati dy javë, seancat po mbahen private me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit.
Në një përgjigje më shkrim për Drejt.info, monitoruesi i procesit gjyqësor në Hagë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija pohoi se është e vështirë përcjellja e procesit gjyqësor nga mbyllja e plotë e seancave.
“Mbyllja e plotë e seancave e vështirëson përcjelljen e procesit gjyqësor edhe për monitoruesit, gazetarë dhe opinionin e gjerë. Sigurisht që edhe monitoruesit profesional të sistemit të drejtësisë do të hasin në vështirësi në rast se një pjesë e madhe e shqyrtimit kryesor do të jetë e mbyllur për publikun. Është obligim që gjykata duhet të kujdeset për sigurinë e dëshmitarit dhe të familjarëve të tyre por në anën tjetër gjykata duhet ta ketë parasysh edhe parimin e publicitetit.”, pohoi Alija për Drejt.info.
Tutje Alija shprehet se Gjykata Speciale duhet të gjen një zgjidhje mes transparencës dhe mbrojtjes.
“Proceset gjyqësore pranë DSHK kanë mjaftë interesim nga publiku kosovar dhe më gjerë, gjykata duhet të gjen një zgjidhje mes transparencës/publicitetit dhe mbrojtjes së identitetit. Ajo çka mundet me bo trupi gjykues është që pjesë të deklaratave të cilët nuk lidhen me identitetin të mos redaktohen për publikun, pasi që publiku ka të drejtë që në fund të procesit të krijon një opinion të vetë vlerësues lidhur me atë nëse vendimi mbi dënimin apo lirimin e të pandehurve ka qenë meritor”, shprehet ai.
Më 3 prill në Hagë pas dy vitesh të procedurës paraprake, nisi gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën akuzën për krime të pretenduara lufte, shkruan Drejt.info.
Qysh në nisjen e procesit gjyqësor, ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat i ngarkon Prokuroria Speciale në Hagë. Ndërsa, edhe mbrojtja e tyre mohoi të gjitha akuzat që rëndojnë mbi klientët e tyre.
Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./G.J/
