Në emisionin “Review” në Euronews Albania është publikuar dëshmia e Zylfie Haklajt, e motra e vëllezërve Haklaj.
Në dëshminë e saj ajo thekson se vëllai i saj Fatmiri, qëlloi me armë Haki Hoxhën pasi ky i fundit nuk pranonte që të hiqte dorë nga protesta.
“Në shtator të vitit 1998 plagoset Azem Hajdari në Parlament. Saliu organizon protesta në Tropojë dhe pastaj ato do të pasoheshin në të gjithë Shqipërinë, ku qëllimi i tij, ishte të shfrytëzonte situatën për marrjen e pushtetit.
Drejtuesit e mitingut kur ndër ta ishte dhe Haki Hoxha nuk presin përgjigjen e Ministrisë së Brendshme, por vazhdojnë protestën. Fatmiri ju kërkon dhe njëherë në mënyrë paqësore që të ndalnin protestën që po zhvillohej në mes të qytetit të Tropojës dhe në kundërshtim me ligjin ku po prishej qetësia publike. Fatmiri i del turmës para dhe ju kërkon zbatimin e ligjit por ata përsëri refuzojnë. Kështu Fatmiri e humbet kontrollin dhe qëllon drejt njërit nga drejtuesit e mitingut që quhej Haki Hoxha.
Kështu shpërndahet protesta dhe hakmarrja do të vazhdonte mes nesh pavarësisht se ‘fruta’ do të haheshin nga Sali Berisha. Saliu duke u bindur që Tropoja po dilte jashtë komandës së tij dhe pengesa kryesore ishin Haklajt ai nuk humbet kohë dhe planifikon vrasjen e Shkëlqimit për të goditur dhe Fatmirin” – thuhet në dëshminë e saj.
