22 vjet shkollim është më e pakta që duhet të kryejë një mjek, për të arritur të punojë në drejtimin që ka përzgjedhur për profesionin e tij të ardhshëm.
Por pas kësaj, atij apo asaj i duhet një shkollim i vazhdueshëm, ku përfshin edhe subspecializimin në mënyrë që të ruajë titullin e tij, raporton Kiks Kosova.
Por ata që do të inspektojnë punën e tyre tash e tutje nuk kanë nevojë të shkrijnë edhe shumë mund, u mjafton të kenë të përfunduar shkollimin trevjeçar, i njohur si bachelor.
Të paktën kështu shkruhet në konkursin e fundit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i hapur më 1 gusht të këtij viti, ku kërkohet rekrutimi i 25 inspektorëve shëndetësorë.
Konkursi parasheh vetëm tri kritere formale, dy prej të cilave janë shkollimi së paku 3-vjeçar në Mjekësi të Përgjithshme, Mjekësi tjetër dhe Menaxhim Mjekësor dhe licenca për ushtrim të pavarur të veprimtarisë shëndetësore.
Por ky kriter bie në kundërshtim me ligjin për funksionimin e inspektoratit shëndetësor të Kosovës.
Kushti i parë i kërkuar është fakti se këta inspektorë duhet patjetër të jenë të shkolluar në një nga degët e Fakultetit të Mjekësisë.
Për me tepër, ky ligj specifikon edhe faktin se inspektori duhet patjetër të këtë kualifikimin e barabartë ose mbi të kualifikuar, pasi një gjë e tillë precizohet në nenin 8, pika 8.2.
Mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit nuk mund ta bëjnë punëtorët me kualifikim më të ulët profesional sesa punëtori që është subjekt i mbikëqyrjes.
Por, pavarësisht kësaj, në konkursin e hapur për të 25 inspektorët kërkohet kualifikimi më i thjeshtë, vetëm shkollimi universitar, edhe atë 3-vjeçar.
Edhe kriteri i tretë i këtij konkursi është në kundërshtim me ligjin për inspektoratin shëndetësor, që në fakt këta inspektorë me shkollimin e thjeshtë universitar do ta zbatojnë ligjin që nuk i njeh si të tillë.
Pika kundërshtuese është edhe përvoja e punës, ku sipas konkursit, që ishte i hapur deri më 9 shtator, kërkohet të këtë përvojën minimale prej dy vjetësh.
Për më tepër, shpallja e këtij konkursi bie në kundërshtim edhe me Ligjin mbi Shëndetësinë e Kosovës, pasi aty përcaktohet se ky inspektorat është organ administrativ i Ministrisë së Shëndetësisë dhe se punët e tij rregullohen me Ligjin mbi Inspektoratin Shëndetësor.
Sido që të jetë, me bachelor apo shkollim superior, këta inspektorë kanë përgjegjësi të mëdha në duart e tyre.
Kjo nëse bazohemi në ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e inspektoratit shëndetësor, i miratuar vitin e kaluar dhe që mban nënshkrimin e presidentes Osmani, i jep përgjegjësi të mëdha këtij organizimi, ku përveç të tjerash edhe shqipton gjoba ndaj personave fizikë e institucioneve.
