MSH-ja demanton Listën Serbe: Ngarkesa me oksigjen ka arritur në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë i ka demantuar deklaratat e fundit të bëra në një konferencë nga Lista Serbe lidhur me mosfurnizimin me oksigjen për spitalet në Kosovë, duke i mohuar kategorikisht pretendimet e tyre.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se nga Ministria e Punëve të Brendshme e ka marrë lajmin se një kontigjent i furnizimit me oksigjen ka kaluar në Kosovë.

Siç ka njoftuar MSH-ja, në bashkëpunim të ngushtë me MPB-në dhe organet e tjera përgjegjëse, të gjitha masat janë marrë për të siguruar arritjen e oksigjenit në spitalet përkatëse.

“Sot, pa vonesa Dogana e Kosovës ka proceduar, ashtu siç ka qenë edhe kërkesa, dhe ngarkesa me oksigjen është futur në Republikën e Kosovës për të shkuar në adresën përkatëse”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se Kosova nuk ka lejuar asnjëherë që çështjet e shëndetit dhe ato humane të vijnë në diskutim, pavarësisht nga rrethanat apo ngjarjet politike.