“Askush nuk po i sulmon serbët në veri të Kosovës” – kështu ka reaguar Qeveria e Kosovës ndaj kërkesës së Listës Serbe që kryeministri Albin Kurti ta ndalë “represionin”.
Këto paralajmërime janë bërë më 19 maj, në ditën kur Erden Atiq, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka marrë mandatin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe.
Lista Serbe nuk ka saktësuar se çfarë do të thotë “mbrojtje me të gjitha mjetet”, por Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, beson se ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për protesta qytetare.
Disa ligjvënës kosovarë, në anën tjetër, e cilësojnë paralajmërimin e Listës Serbe si kërcënim në adresë të autoriteteve të Kosovës.
Çfarë pritet më 1 qershor?
Verolub Petroniq, nga Qendra Humane në Mitrovicë, e cila merret me çështjet e sigurisë, vlerëson se njoftimet e Listës Serbe u referohen protestave sociale. Ai thotë se ato mund të rrezikojnë sigurinë e njerëzve dhe të institucioneve të Kosovës.
“Nëse ka protesta sociale në një shkallë më të gjerë, gjithmonë ekziston mundësia që dikush nga turma të bëjë diçka kundër institucioneve”, thotë Petroniq.
Ai nuk e përjashton mundësinë e destabilizimit në terren, duke shtuar se situata varet edhe nga Bashkimi Evropian, se sa presion do të ushtrojë mbi Prishtinën dhe Beogradin.
