Janë disa pyetje e zakonshme që shumica ia bëjmë vetes: pse nuk ushtrojmë më shumë, nuk ushqehemi më mirë dhe pse nuk bëjmë një mënyrë jetese më të shëndetshme?
Për shumë njerëz që duan, por thjesht nuk mund ta bëjnë këtë, rezulton se përgjigjja për këtë pyetje është – të ndihesh shumë i lodhur.
Një sondazh ka zbuluar se lodhja është arsyeja pse 35% e njerëzve nuk bëjnë ndryshime në dietën e tyre dhe nivelet e aktivitetit fizik që do t’i ndihmonin të mbyllnin hendekun midis qëllimeve të mira dhe veprimeve konkrete.
Rezultatet, nga një sondazh i YouGov me 2 mijë e 86 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar për Fondin Botëror të Kërkimit të Kancerit (WCRF), ilustrojnë barrierat me të cilat përballen shumë njerëz në dëshirën e tyre për t’iu përmbajtur zakoneve të shëndetshme.
Kur u pyetën se çfarë i pengonte ata të ushqeheshin më shëndetshëm dhe të ushtroheshin më shpesh, 29% e meshkujve dhe 40% e femrave thanë se “ndjehen shumë të lodhur”, shkruan The Guardian.
Një tjetër arsye sipas sondazhit rezulton të jetë “mungesa e motivimit” (38%). Arsyet e tjera të zakonshme të dhëna përfshinin koston e ushqimit (30%), mungesën e kohës (26%) dhe balancën punë/jetë (25%). Të tjerë përmendën koston e ushtrimeve (25%), të tilla si blerja e një anëtarësimi ose pajisjeje në palestër, mungesë besimi (16%) dhe “të mos dish se ku të fillosh” (12%).
Vetëm një në katër (24%) të anketuar përmes internetit thanë se asgjë nuk i pengonte ata të bënin ndryshime të shëndetshme në stilin e tyre të jetesës.
Matt Lambert, menaxheri i informacionit dhe promovimit të shëndetit të organizatës bamirëse, tha: “Njerëzit kanë orare të ngarkuara dhe ne e dimë se, për shumë njerëz, gjëja e fundit që mund të duan të bëjnë kur janë të lodhur ose nuk kanë motivim është të fillojnë të gatuajnë ose të shkojnë në palestër”.
