Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu.
Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë.

Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes.
Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.
