Petkoviqi thotë se Kurti është një “vajzë e vogël” kur flet me Vuçiqin

Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbinë, Petar Petkoviq, e ka quajtur kryeministrin Albin Kurti “vajzë të vogël” kur flet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Këtë reagim, Petkoviqi e bëri pasi Kurti të enjten e priti në takim kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Sanxhak (SDA), Sulejman Ugljanin, kur edhe e shfaqi flamurin jozyrtar të Sanxhakut.

“Kurti po mendon se është hero kur shpalos të ashtuquajturin flamur të Sanxhakut, por në fakt është një vajzë vërtetë e vogël kur flet me presidentin Vuçiq në Bruksel”, shkroi Petkoviqi në X, ish-platforma Twitter, raporton Klankosova.tv.

Tutje, Petkoviqi i tha Kurtit se me këto veprime, ai nuk po e di se “po luan me zjarrin”.

 

“Separatisti i mprehtë Kurti nuk duhet të ushqejë dëshirat e politikanëve të dështuar nga Novi Pazari, sepse ai nuk se po luan me zjarrin”, deklaroi politikani serb.

Kryeministri Albin Kurti, ​së bashku me Këshilltaren Politike Ardita Sinani, të enjten pritën në takim kryetarin e Partisë Aksioni Demokratik në Sanxhak (SDA), Sulejman Ugljanin, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, përfaqësuesit politikë boshnjakë në Serbi, Esad Salihoviq, Selma Kucevic, Ado Kamenisqanin, dhe kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Nevzad Lutfiu.

Në takim thuhet të jetë diskutuar për brengat dhe shkeljet të cilat në mënyrë të vazhdueshme i përjetojnë si pakica shqiptare, ashtu edhe ajo boshnjake në Serbi, dhe për atë se çfarë mund të bëhet së bashku për të përmirësuar këtë gjendje.