Mediat gjermane raportuan se policia dje ka mësyrë banesën e një çifti në Solingen, ku ka gjetur armë zjarri.
Megjithatë, ky zbulim mund të përfaqësojë vetëm “majën e ajsbergut”, pasi dy të arrestuarit dyshohet se kanë qenë aktivë kriminalë në fusha të ndryshme në të kaluarën. Bashkëshorti 30-vjeçar shqiptar akuzohet për shkelje të ligjit për narkotikët, ndërsa bashkëshortja 30-vjeçare, shtetase gjermane, mësohet se ka përvetësuar para nga klientët si punonjëse e një institucioni financiar.
Zyra e prokurorit publik të Wuppertal, e cila ishte përgjegjëse për operacionin në Ohligs, fillimisht nuk njoftoi se cila kompani bankare ishte e përfshirë. Megjithatë, u raportua se shumat janë mjaft të konsiderueshme. “Thuhet se janë disa qindra mijëra euro”, tha prokurori i lartë publik përgjegjës Wolf-Tilman Baumert më vonë, përcjell albinfo.ch.
Policia hyri befasisht në banesën e çiftit, të cilët u gjetën të papërgatitur dhe nuk bënë rezistencë. Më pas policia bastisi shtëpinë e çiftit. U përdorën edhe qentë e policisë, të cilët janë të specializuar për gjurmimin e kartëmonedhave. Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën bizhuteri me vlerë. Dhe kur u hap një kasafortë, u zbulua një sasi gjashtëshifrore parash. Sipas njohurive të mëparshme, bëhet fjalë për para të përvetësuara nga 30-vjeçarja.
Shqiptari mësohet se ka vepruar në sasi të mëdha me lëndë narkotike. Gjatë kontrollit në banesë, efektivët sekuestruan tri armët e gjata të përmendura, përveç sasive të vogla të lëndës narkotike. Policia kriminale ka konfiskuar edhe një Mercedes AMG të të dyshuarit.
