Presidentja Osmani me bashkëshortin e saj, pjesë në kurorëzimin e Mbretit Charles III

Me ftesë të Mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e shoqëruar nga zotëria i parë Prindon Sadriu, do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në ceremoninë e kurorëzimit të Mbretit.

Para ceremonisë së Kurorëzimit të Mbretit, presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Mbreti Charles III dhe anëtarë të Familjes Mbretërore për liderët botërorë në Buckingham Palace, sot më 5 maj, ka njoftuar Presidenca, transmeton Zeri.info.

“Më 6 maj, presidentja Osmani dhe zotëria i parë, krahas krerëve shtetërorë nga e gjithë bota, do të marrin pjesë në ceremoninë zyrtare të Kurorëzimit të Mbretit Charles III në Westminster Abbey, me ç’rast, presidentja Osmani do t’i përcjellë urimet e popullit dhe institucioneve të Republikës, si dhe do të riafirmojë përkushtimin e palëkundur të shtetit tonë për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar”, thuhet në njoftim.

Gjatë qëndrimit në Londër, presidentja dhe zotëria i parë do të marrin pjesë edhe në pritjen që sekretari i Shtetit për Punë të Jashtme i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, organizon për liderët botërorë. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *