Pro anëtarësimit të Kosovës në KiE votuan 33 shtete, shtatë votuan kundër

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës e ka çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë, kështu duke përmbyllur etapën e parë të këtij procesi, që nisi në maj të vitit të kaluar, kur Kosova edhe aplikoi për anëtarësim.

Aplikimi i Kosovës për t’u bërë pjesëtar i KiE-së, që numëron 46 shtete anëtare, tash është në duar të Asamblesë Parlamentare të Këshillit.

Në favor të Kosovës për anëtarësim votuan 33 shtete, pra 2/3 e vendeve anëtare.

Shtatë prej tyre ishin kundër, ndërsa pesë abstenuan.

Kështu ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami.

“Lajm i jashtëzakonshëm dhe i mrekullueshëm nga Strasburgu. Me 33 vota pro, shtatë kundër dhe pesë abstenime Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës pranoi aplikimin për anëtarësim të Kosovës dhe nisi procesin e pranimit, duke i kërkuar Asamblesë

Parlamentare të KiE, që të përgatisë një opinion mbi anëtarësimin”, ka shkruar ambasadori Bajrami.

Sipas KOHËS, shtetet që votuan kundër ishin Azerbajxhani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia e Spanja. Ndërsa prej atyre që abstenuan janë Sllovakia, Greqia, Bosnjë-Hercegovina, Armenia e Ukraina.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *