Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka folur për raportimin që bëri drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha në komisionin për siguri.
Qalaj, mes tjerash për pjesën e mbyllur të komisionit, ka treguar se me Hoxhën, kanë biseduar për konkursin e policëve në veri, teka theksoi se duhet të mbushen vendet vakante.
“Në takimin e mbyllur u diskutua çështja e operacionit në veri dhe implikimi i këtij operacioni në punët e policisë. Mendoj që drejtori e dha një raport korrekt të drejtë me të gjithë ngjarjet që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në katër komunat veriore”, u shpreh Qalaj.
“Çështja e konkursit në veri është obligative pas dorëheqjes së gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb që kanë punuar në katër komunat veriore dhe kufitare. Është e vetmja mënyrë që të mbushen vendet vakante të punës për policë të rinj. Shifrat konkrete nuk kam, është një numër shumë i vogël i pjesëtarëve i komunitetit serb. Çështja primare e këtij konkursi është që shumë të ri e reja të konkurrojnë, ka shumë interesim nga komunitetet tjera të konkurrojnë”.
