Rama i përgjigjet Muratit: Puna ime po u pengon ministrave të caktuar, po i bllokojnë projektet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë që disa ministrave të Qeverisë Kurti po u pengon puna e tij, dhe se ata po ia bllokojnë projektet.

“Projekti Solar4Kosovo duhet të na bëjë bashkë, e jo të na ndajë. Për të parën, unë po punoj për çdo ditë – për të dytën, Ministri i Financave”, ka shkruar Rama në Facebook.

“Të dashur qytetarë, tash e sa kohë, puna ime po u pengon ministrave të caktuar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilët në vend se të ndihmojnë në zhvillimin e Kryeqytetit, bllokojnë projektet e sulmojnë me gjuhën më të ulët”.

“Një prej këtyre sulmeve ndodhi edhe dje, kur Kryeqyteti nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Komunën e Obiliqit, për realizimin e projektit të Ngrohjes Diellore ‘Solar4Kosovo’. Me anë të kësaj marrëveshjeje ne si Kryeqytet kemi marrë përgjegjësinë që të kryejmë obligimet financiare që do të dalin nga procesi i shpronësimit të pronave të cekura në marrëveshje, sepse pa këtë shpronësim nga ana e Kryeqytetit nuk bëhet projekti”.

Rama tha se kryeqyteti dhe komuna e Obiliqit kanë punuar një vit e gjysmë intensivisht në këtë proces në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit.

“Ngjashëm, edhe sulmet rreth organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, nuk kanë të ndalur, me tentime për neutralizimin e rolit që ka Kryeqyteti si nikoqir në organizimin e kësaj ngjarje historike. Sipas marrëveshjes, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare i beson qytetit të Prishtinës dhe Komitetit Olimpik, organizimin e lojërave mesdhetare në Kryeqytet”.

“Kjo gjuhë e përdorur nga ministra të caktuar të Qeverisë përveç se e dëmton organizimin e këtyre Lojërave, e prish edhe imazhin e Kosovës”.