Instituti për Politika Zhvillimore i mbështetur nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (BMZ) nëpërmjet Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ), ka organizuar tryezën “Zbatimi i Agjendës së Gjelbër – Kosova tri vjet pas Samitit të Sofjes”.
Në raportin e progresit të përpiluar nga INDEP, theksohet se ndotja e ajrit mbetet ndër sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova.
“Në bazë të përllogaritjeve nga platforma e monitorimit dhe kontrollit të cilësisë së ajrit, në rreth 18 për qind të ditëve të vitit cilësia e ajrit është e keqe, shumë e keqe ose tmerrësisht e keqe”, thuhet në këtë raport.
Po ashtu, në raport thihet se në fushën e klimës dhe dekarbonizimit, Kosova nuk ka bërë progres të mjaftueshëm në vitin 2022.
“Një nga arritjet më të mëdha në këtë drejtim ka qenë miratimi i Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031. Dokumenti është publikuar për konsultim publik në qershor 2022 dhe është miratuar në Dhjetor 2022. Strategjia parasheh që deri në vitin 2030 të rinovohen dy njësitë e Termocentralit, ‘Kosova B’ dhe së paku një njësi e Termocentralit, ‘Kosova A’, kjo për të rritur kapacitetin prodhues së paku 540 MË për bazë ngarkese dhe kapacitet rezervë 360 MË”, ceket në raport.
“Deri në vitin 2031, qeveria do të synojë të mbulojë të paktën 35% të konsumit të energjisë nga Burimet e Rinovueshme të Energjisë (BRE). Deri në vitin 2031, pritet të gjenerohen 1600 MË energji nga BRE përmes zhvillimit të termocentraleve të reja, duke përfshirë 600 MË erë, 600 MË diellore, 20 MË biomasë dhe të paktën 100 MË kapacitet nga përdoruesit vetë- prodhuesit. Sipas Strategjisë së Energjisë 2022-2031, Kosova deri në vitin 2025 do të përgatitet edhe për vendosjen e një sistemi për përcaktimin e çmimit të karbonit”, shkruan tutje.
Sipas raportit të progresit, të ardhurat e siguruara nga taksimi i karbonit me këtë strategji parashikohen për krijimin e një fondi që do të nxisë investimet në burimet e rinovueshme të energjisë, mbështetjen për konsumatorët në nevojë si dhe masa të tjera në funksion të një tranzicioni të drejtë.
“Por deri më tani nuk kemi parë një zbatim adekuat të kësaj strategjie. Sfida të tjera përfshijnë, mosmiratimin e Ligjit për Ndryshimet Klimatike, mungesën e Strategjisë së Dekarbonizimit dhe largimin nga qymyri, mungesën e një Plani Kombëtar të Energjisë dhe Klimës”, thuhet më tej.
