Qeveria ushtarake e Mianmarit thotë se ka humbur kontrollin e një qyteti të rëndësishëm në kufirin me Kinën pas ditëve të luftimeve të ashpra me grupet e armatosura.
Humbja është një goditje e madhe për gjeneralët që morën pushtetin nga qeveria e zgjedhur e Mianmarit në shkurt 2021-tës dhe që atëherë kanë luftuar për të frenuar kundërshtimin ndaj sundimit të tyre.
“Qeveria, organizatat administrative dhe organizatat e sigurisë nuk janë më të pranishme” në Chinshwehaw, tha të mërkurën zëdhënësi i qeverisë Zaw Min Tun, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Qyteti, në kufi me provincën Yunnan të Kinës, është qendror për rrjedhën e tregtisë nga Mianmari në Kinë.
Më shumë se një e katërta e tregtisë kufitare prej 1.8 miliard dollarësh të Mianmarit me Kinën kaloi përmes Chinshwehaw nga prilli në shtator, raportoi media shtetërore në shtator, duke cituar Ministrinë e Tregtisë.
