Rruga e mundimshme deri te “pasaporta e kuqe”

Krahas ligjit “kokëfortë”, janë edhe praktikat arbitrare në disa komuna që natyralizimin e të huajve e bëjnë shpesh pothuajse “mision të pamundur”

Zvicra, vendi i demokracisë së drejtpërdrejtë njihet gjithashtu si një ndër vendet me praktikën më restriktive të natyralizimit të të huajve. Dhe kjo, në shtetin në të cilin 39% e popullatës së përhershme të moshës mbi 15 vjeçare ka sfond migracioni.

Ndryshimi i praktikës së natyralizimit, ose siç njihet në gjuhën popullore “marrjes së pasaportës” që ka ndodhur në vitin 2018, i prezantuar si lehtësim në fakt nuk ka sjellë ndonjë ndryshim përmbajtjesor në këtë drejtim. Deri në vitin e përmendur, për të pasur të drejtë ligjore për të aplikuar për natyralizim nevojiteshin 12 vite qëndrimi në Zvicër dhe disa kushte të tjera që lidhen me banimin në një komunë, në një kanton etj. Me ndryshimin nga viti 2018, vërtet u shkurtua koha e të drejtës për aplikim nga 12 në 10 vjet por në të njëjtën kohë u ashpërsuan kriteret tjera. Kështu, nëse më parë, me 12 vite qëndrim në Zvicër mund të aplikoje pavarësisht statusit të qëndrimit, sot, me afatin “e shkurtuar” prej 10 vitesh, mund të aplikosh vetëm nëse ke Lejen e qëndrimit të përhershëm në vend gjegjësisht “Vizën C”.

Në këto rrethana, çështja e natyralizimit në Zvicër vazhdon të mbetet temë “e nxehtë” në debatet e këtushme politike, kryesisht në mes të të djathtës dhe të majtës. Ndërsa e majta angazhohet prej kohësh uljen e barrierave për pasaportën e lakmuar “të kuqe”, duke kërkuar edhe “natyralizimin me lindje” ose, të paktën, natyralizimin automatik të brezit të dytë të të huajve, e djathta reziston, duke e konsideruar natyralizimin “meritë dhe jo dhuratë” që u jepet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *