Rusia me akuza për vizitën e Stoltenbergut në Ballkan, thotë se shërbeu për destabilizim

Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në vendet e Ballkanit ishte një “lëvizje nxitëse dhe shkatërruese”, duke qenë se qëllimi i saj kryesor ishte “mbjellja e destabilitetit në rajon”.

Kështu tha sot zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova.

“Vizita e Stoltenbergut në Bosnje dhe Serbi ishte nxitëse. Ai u përpoq të ndërhynte në punët e brendshme të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të përshpejtonte lëvizjen e vendit drejt institucioneve të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ai këmbënguli me vendosmëri që Beogradi gjithashtu të forcojë bashkëpunimin me NATO-n pavarësisht statusit neutral të Serbisë, duke fajësuar Rusinë për gjithçka që është e gabuar në botë dhe duke pretenduar se ne po punojmë për përhapjen e dezinformatave dhe prishjen e gjërave në Ballkan, shtoi Zakharova, transmeton Klankosova.tv.

Ajo shtoi se turneu i Stoltenberg në Ballkan është një tjetër dëshmi e siç e quajti “politikës shkatërruese të blloqeve të Atlantikut të Veriut dhe inkurajimit të përpjekjeve për të tërhequr vendet e rajonit në Aleancë”.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg qëndroi për vizitë në Kosovë më 20 nëntor. Ai gjatë takimeve që pati në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti foli për praninë e trujave të NATO-s në vendin tonë si dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.