Deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi i ka shkruar letër Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Përmes kësaj letre ai e ka njoftuar Vuçiqin se nuk do të marr pjesë në konsulatën për themelimin e qeverisë së re.
”Njoftova Presidentin se nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rrejshëm të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten pakica skajshmërisht e diskriminuar në sistemin shtetëror në 13 vitet e fundit.” ka shkruar ai, duke publikuar edhe letrën e plotë.
Letra:
Z. President,
Në emër të Listës zgjedhore “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” e cila në këtë përbërje të Kuvendit Republikan ka një deputet si përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi, Ju njoftoj se, për herë të parë në historikun e përfaqësimit tonë parlamentar, nuk do të marrim pjesë në konsultimet e planifikuar për formimin e qeverisë së re.
Deputetët shqiptarë ndër vite kanë marrë pjesë në konsulta, të cilat, konform legjislacionit vendor, i mban presidenti i shtetit, me të gjithë listat parlamentare të cilat sigurojnë mandate përfaqësimi në Parlamentin Republikan.
Sikurse në vitin 2012, edhe në vitet 2014, 2016, 2020, 2022 dhe 2024, deputeti ose deputetët shqiptar, presidentëve të shtetit, në formë të shkruar, i kanë prezentuar kërkesat legjitime të popullatës shqiptare, si nevojë e domosdoshme për përmirësimin dhe avancimin e pozitës shqiptare në Republikën e Serbisë.
Që nga 2014, kërkesat e shqiptarëve kryesisht janë të bazuara në dokumentin e njohur si “Plani shtatë pikësh” e të cilin e kishin përpiluar atëkohë të gjitha subjektet politike shqiptare.
