Si i dha KEK-u 60 mijë euro një kompanie konsulente ligjore, pak javë para arrestimit të Kryeshefit

Vetëm dy javë para arrestimit të Kryeshefit të saj, Nagip Krasniqi, Korporata Energjetike e Kosovës kishte dhënë tender për një kompani konsulente ligjore, vlera e së cilës peshonte 60 mijë euro.

Demokracia.com kishte raportuar më 30 mars se KEK-u ka nënshkrua kontratë në vlerë prej 60 mijë eurosh për angazhimin e një kompani konsulente ligjore.

Kjo kompani, siç bëhej e ditur në dosjen e publikuar në KRPP, kishte për detyra mbi përgatitjen e dosjes së tenderit, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të paraqiten, përpilimin e shkresave, pjesëmarrja në procese gjyqësore apo arbitrazh në rast te kontestit.

“Qëllimi i angazhimit te konsulentit është te jap këshilla në fazat më të hershme, këshilla për planifikimin kohor te prokurimeve, këshilla mbi proceset e prokurimit përshtatshmëria të një zgjidhjeje të caktuar, te barte përvojën e tyre për mënyrën më të mirë për stafin e KEK-ut për të marrë përfitimet maksimale ndërsa OE që të inkurajojnë për te konkurruar, bartja e njohurive në stafin e prokurimit mbi përgatitjen e dosjes së tenderit, të kritereve të vlerësimit dhe klasifikimi, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që mund të paraqiten, përpilimin e shkresave si dhe pjesëmarrja në seanca në OSHP, në procese gjyqësore apo arbitrazh në rast te kontestit”, thuhej në dosjen e tenderit.

Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, është arrestuar të mërkurën nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Krasniqi siç duket e kishte “nuhatur” se atij si drejtor i KEK-ut do t’i dalin disa probleme me ligjin, prandaj KEK-u kishte nënshkruar një kontratë në vlerë prej 60 mijë eurove.

Tenderin e kishte fituar kompania “REXHEPI ZEQIRI ZEJNA L.L.C”, për një periudhë 12 mujore, që brenda ditës kompania do të marrë 250 euro mëditje.

Ndryshe, Nagip Krasniqi u arrestua ditën e sotme për tri vepra penale, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim i ndikimit si dhe konflikti i interesit.

Prokuroria njoftoi së Krasniqi është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Njësia e Veçantë e Hetimeve sot ka bastisur zyrën e Nagip Krasniqit në Prishtinë, dy banesa në lokacione të ndara në Prishtinë, në pronësi dhe të shfrytëzuara nga i njëjti. Prokuroria njoftoi se gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *