Sot është përvjetori i dëshmorit të parë Mehedi Morina nga Klina

Mehedi Morina është dëshmori i parë i Klinës, ai ra sot 25 vite më parë në fushën e nderit, në afërsi të Gradishit, konkretisht në fshatin GEXHË.

Atë ditë forcat pushtuese serbe vranë edhe Bajram Himajn dhe Qamil Himajn nga Gexha dhe Imer Kajdomçajn nga Xërxa.

Heroi Mehedi Morina është përkujtuar edhe nga kryetari i Rahovecit Smajl Latifi.

Postimi i plotë:

Me familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të pranishëm, sot në Gexhë përkujtuam heroin MEHEDIN MORINA nga Gllareva e Klinës dhe bashkëvendësit tanë të vrarë nga pushtuesit serb.

Në pjesën e parë të majit 1998, lufta e armatosur për liri mori përmasa dhe po shtrihej nga dita në ditë. Pas betejës së suksesshme të UÇK-së ndaj forcave serbe, e cila u zhvillua me 12 maj 1998 në Ratkoc, Malësi e Vogël, Vrajakë e Bërtatin, rrafshi i Anadrinisë u shndërrua në Zonë të Lirë. Natën midis 13 dhe 14 majit, luftëtarët e lirisë ishin në pozicione në Kodrën e Gradishit, e në mëngjesin e 14 majit, filluan luftime të ashpra të UÇK-së me forcat serbe. Lufta ishte e pabarabartë. Në njërën anë, armiku me makinerinë e luftës, me tankse e automjete të blinduara dhe me artileri rrihte pandërprerë pozicionet e UÇK-së, në anën tjetër, luftëtarët e lirisë, me armë të lehta, por me zemrën zjarr e me trimëri i qëndronin e luftonin me pushtuesit. Në gjithë këtë përballim të vështirë, mbështetja i popullit anadrinas, vërtet ishte e jashtëzakonshme.

Në mbështetje na erdhën edhe njësitet e UÇK-së nga Malisheva, Drenica dhe Klina. Pra, si një rrufe arriti në arenën e luftimeve edhe veprimtari i spikatur i çështjes kombëtare, MEHEDIN MORINA, i cili e kishte braktisur Holandën, për të qenë në rreshtat e parë të çlirimtarëve. Erdhi për të vetmin qëllim: të luftonte për çlirimin e atdheut nga shkelësit sllavë. Mehedini ra në fushën e nderit, në afërsi të Gradishit, konkretisht në fshatin GEXHË.

Luftëtarët e përkushtuar, siç ishte Mehedini, asnjëherë nuk e zgjedhin vendin ku do të luftojnë, nuk e dinë vendin se ku do të vriten, por një gjë e dinin mirë: ata udhëhiqen nga një ideal dhe qëllim i vetëm – të luftojnë për çlirimin e tokave tê pushtuara dhe të gjinden aty ku kishte më së shumti nevojë për ta. Luftëtarët si Mehedini mishërohen, ata nuk i thirr askush, ata vijnë vetë. Pra, Mehedinin nuk e thirrëm, ai erdhi sepse ia dinte plagët atdheut, të cilat ishin edhe plagë të tij të zemrës dhe shpirtit.

Rënia në detyrë e trimit nga Gllareva është vetëm një dëshmi, se lufta jonë bëhej për mbrojtjen dhe çlirimin e pragut të të gjitha shtëpive dhe familjeve shqiptare dhe çlirimin e bashkimin kombëtar.

Atë ditë forcat pushtuese serbe vranë edhe Bajram Himajn dhe Qamil Himajn nga Gexha dhe Imer Kajdomçajn nga Xërxa.

Si gjithë treva e Anadrinisë, edhe Gexha i dha djersë e gjak lirisë së Kosovës: Bacën Bajram Himajn, Zymer Morinën (15.3.1999) dhe Qamil Himajn.

Lavdi!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *