Pas zgjedhjeve të 23 prillit ku u zgjodhën 4 kryetarët e komunave veriore, të premten pritet të bëhet betimi i kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Seanca solemne e betimit të kryetarit të ri të kësaj komune do të mbahet në orën 11:00, e të gjitha përgatitjet janë duke shkuar të qeta dhe në mënyrë normale, bëri të ditur zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën e Veriut, Skender Sadiku.
Sipas tij, për dallim nga komunat tjera veriore Komuna e Mitrovicës veriore e ka objektin në funksion.
“Përgatitjet janë duke shkuar normal. Për dallim nga komunat tjera veriore, komuna e Mitrovicës e ka objektin në funksion. Kemi qenë gati klinikisht të vdekur, por është një drejtori e ka mbajt gjallë komunën,e ajo është drejtoria e Administratës Publike”, ka thënë Sadiku.
Ai theksoi se betimi do të kalojë pa asnjë telashe dhe gradualisht do t’i kryejnë funksionet e tyre për çka janë zgjedhur.
“Mbledhja është caktuar në orën 11:00 dhe ngadalë do të fillojmë realisht për çka jemi zgjedhur në si asamble dhe si kryetar…. E mira e kësaj është që na duhet teknikisht që të jemi në funksion të qytetarëve”, u shpreh ai.
