Në një treg të vështirë artistik si ai i Kosovës, krijimi i hapësirave për artistët e rinj është thelbësor. Pikërisht këtë synon Uni Fest – një platformë që për tre vite ka mbështetur dhe promovuar talentet e reja përmes trajnimeve dhe eventeve të dedikuara. Nën organizimin e OJQ Optima, festivali i këtij viti shënoi një tjetër sukses duke sjellë një mbrëmje të jashtëzakonshme me performanca të shumëfishta.
Më 19 dhjetor, sallën e Termokiss e mbushën tingujt e muzikës së gjallë, me performanca nga artistë të ndryshëm, duke përfshirë Bendi Muzikor Ura-M të udhëhequr nga kompozitori Bekim Kepuska, si dhe artistë të muzikës moderne dhe hip-hop si Toxic Records. Ky edicion mblodhi rreth vetes jo vetëm publikun e gjerë, por edhe institucione që mbështesin artin dhe kulturën, si OJQ Ura-M dhe N’Re Digital Solutions.

Publiku që mori pjesë në event e vlerësoi lart këtë nismë. “Është e mrekullueshme të shohësh një platformë që i jep hapësirë artistëve të rinj. Kosova ka shumë talente që meritojnë të promovohen,” tha një nga të pranishmit. Edhe artistët ndanë entuziazmin e tyre për këtë event. “Të performosh para një audience që të mbështet dhe të motivon është një ndjesi e jashtëzakonshme,” theksoi këngëtari Endrit Krasniqi.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i Uni Fest është krijimi i një komuniteti artistik të qëndrueshëm. Përmes bashkëpunimeve me organizata dhe profesionistë të ndryshëm të industrisë, artistët jo vetëm që kanë mundësinë të performojnë, por edhe të zhvillojnë njohuri dhe aftësi të reja që i ndihmojnë në karrierën e tyre.
Me rritjen e interesit dhe mbështetjes, Uni Fest po dëshmohet si një hallkë kyçe në zhvillimin e muzikës vendore. Në të ardhmen, një zgjerim i mëtejshëm i këtij festivali mund të ndihmojë edhe më shumë artistë të rinj të depërtojnë në skenën muzikore.