WJP nuk ndryshon vlerësimin për Kosovën në sundimin e ligjit

Ndonëse vendi ka rënë për një pozitë, nga vendi i 57-të vitin e kaluar në të 56-tin sivjet (nga 142 vende), vlerësimi me 0.56 pikë (nga 1.0 pikë në total) mbetet i njëjtë, raporton Klankosova.tv.

Pozitën e vitit të kaluar, këtë vit Kosovës ia ka zënë Mali i Zi, por që me pikë është i barabartë me vendin tonë. Sipas këtyre të dhënave, Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtetet me vlerësimin më të mirë për sundim të ligjit në rajon.

Maqedonia e Veriut është në pozitën e 67-të, Bosnja e Hercegovina në të 75-tin, Shqipëria në të 91-tin dhe Serbia më së keqi, në pozitën 93 me gjithsejtë 50 pikë vlerësim.

Kosova, në faktorin e parë vlerësues, për “Kufizimet e pushteteve të Qeverisë”, vlerësohet me 0.56 pikë (mesatarja 0.54), ndërkaq për sa i përket “Mungesës së Korrupsionit”, Kosova është vlerësuar me 0.48 pikë (mesatarja 0.51).

Në faktorin e tretë, “Qeveria e Hapur”, Kosova është vlerësuar me 0.58 pikë (0.52 mesatarja),

Për “Të drejtat themelore”, vendi ynë vlerësohet me 0.61 pikë (0.56 mesatarja).

Ndërkaq, në faktorin e pestë “Rendi dhe Siguria”, Kosova vlerësohet goxha mirë me 0.83 pikë nga 0.77 sa është mesatarja globale.

E ndryshe nga faktori paraprak, te “Zbatimi i rregulloreve”, Kosova ka marrë vlerësim të dobët, me 0.48 pikë (0.54 mesatarja globale).

Keq është vlerësuar edhe te “Drejtësia civile” dhe te “Drejtësia penale” me 0.50 pikë, respektivisht 0.46.

Vlen të theksohet se renditjen më të mirë për këto tri vite, Kosova e shënoi në vitin 2020, kur doli e 54-a në botë.