Zoran Vukotiqit i rritet dënimi për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjykata e Apelit ka njoftuar se ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke ia rritur dënimin nga 10 në 13 vjet, rezervisitit të policisë serbe Zoran Vukotiq, i të dënuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Apeli ka njoftuar se aktgjykimi i shkallës së parë është ndryshuar vetëm sa i përket kohëzgjatjes së dënimit.

“Me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit të Departamentit Special, është aprovuar pjesërisht ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është ndryshuar, vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin, ndërsa pjesa tjetër e ankesës së Prokurorisë Speciale si dhe ankesa e të akuzuarit Z.V dhe mbrojtësit të tij avokatit N.V, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Në arsyetim të aktgjykimit gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se pretendimet e lartë cekura ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, të cilat kishin për ta kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.

“Në këtë aspekt janë të pabaza pretendimet ankimore se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të parapara nga neni 384 të KPP-së, ngase, dispozitivi i aktgjykimi është i qartë, i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e aktgjykimit janë dhënë arsyet e duhura mbi faktet vendimtare të kësaj çështje penale-juridike”, thuhet në njoftim.

Më tutje Gjykata e Apelit konstaton se, gjykata e shkallës së parë gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përmes se cilave është provuar se i akuzuari Z.V., e ka kryer veprën penale në mënyrën e përshkruar në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar.

Kolegji i Apelit ka vlerësuar se thelbi i çështjes faktike ishte nëse i akuzuari është identifikuar në mënyrë të sigurt nga e dëmtuara D1, dhe a konfirmonin mjaftueshëm dëshmitë e tjera mbështetëse këtë rrethanë, pra duhet të vlerësohet efekti plotësues i këtyre dëshmive.

Në njoftimin e Apelit thuhet se gjatë gjithë dëshmive të bëra dhe gjatë ballafaqimit në shqyrtim gjyqësor, dëshmitarja D1 ka demonsturar se është e sigurt në identifikim dhe nuk ka shfaqur asnjëherë shenja pasigurie.

“Gjithashtu kolegji ka vlerësuar se nën dritën e kësaj, dëshmia e dëshmitares – dëmtuarës D1, karakterizohet nga qartësia, faktet dhe rrethanat tregohen në përputhje me kronologjinë e zhvillimit dhe logjikën jetësore të ngjarjes, prej fillimit e deri tek trajtimi i saj tek mjekët pas këtyre ndodhive. Është e rëndësishme të potencohet, se dëshmitarja D1, ka dhënë fragmente të hollësishme të ngjarjes të cilat mund ti jap vetëm një person që i ka përjetuar dhe parë drejtpërdrejtë, të cilat pastaj i rrëfen në mënyrë të natyrshme”, thuhet në njoftim.

Duke u bazuar në këtë si dhe rrethana e dëshmi të dëshmitarëve të tjerë Apeli ka marr vendim që dënimi i Z.V. të rritjet nga 10 në 13 vjet. “Rrjedhimisht, kjo gjykatë ka vlerësuar se këto rrethana në unitetin e tyre japin bazë të mjaftueshme që arsyetojnë shqiptimin e dënimit me burgim në kohëzgjatje prej 13 (trembëdhjetë) vite, me bindjen se dënimi tani i shqiptuar është në proporcion dhe plotësisht i justifikueshëm në raport me peshën konkrete të veprës penale, rrethanave të kryerjes, shkallën e lartë të përgjegjësisë penale të akuzuarit, tek i cili është manifestuar kuantum i avancuar i vullnetit kriminal, tërësisë së sjelljes së tij kriminale dhe se me të njëkohësisht arrihet qëllimi ndëshkimor në kuptim të preventivës speciale dhe asaj gjeneralë”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Me aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të Departamentit Special, të datës 11.11.2022, i akuzuari Z.V, është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim me burgimi në kohëzgjatje prej 10 vjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *