Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të procesit hartues të Strategjisë Shtetërore për Rini 2024-2032 dhe Planit të Veprimit 2024-2026, tha se orientimi i kësaj qeverie, synon të përmblidhet në dy fjalë, me të cilat jemi zotuar para më shumë se dy viteve: punë dhe drejtësi.
Punë do të thotë më shumë aktivitet e inovacion ekonomik, arsim më cilësor, më shumë investime të huaja. Drejtësi do të thotë barazi, mirëqenie, siguri e besim në institucione.
Duke folur për hartimin e Strategjisë, ai tha se ka ardhur koha të bëhet një investim serioz edhe në vendin tonë dhe Strategjia Shtetërore për Rini është mjeti; mjeti që do sjell në tavolinë të gjitha institucionet për të reflektuar mbi sfidat e veçanta të të rinjve në sektorin e tyre dhe për të hartuar e zbatuar politika publike në shërbim të tyre.
“Strategjia Shtetërore për Rini do të jetë dokumenti kryesor orientues afatgjatë për qeverinë karshi rinisë, ku secila ministri dhe institucion pritet të përcaktojë rolin e vet. Përveç se është strategji që na orienton drejt zhvillimit, do të jetë edhe një mjet reforme për politikëbërje ndërsektoriale karshi rinisë”, tha kryeministri Kurti.
Ai tha se përmes masave të shumta të Qeverisë dhe së fundmi programit Superpuna ku mbi 2,000 marrëdhënie pune janë të lidhura në një kohë të shkurtër, punësimi i të rinjve po rritet. Universitetin e bëmë falas për afër 43 mijë studentë dhe kemi ndarë mbi 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit. Këtë vit do ndahen 2 milionë euro për 2,000 bursa vetëm në fushat STEM, pra Shkencë, Teknologji, Inxhinieri e Matematikë. Në shëndetësi, buxheti është 100 milionë euro më shumë këtë vit: 296 milionë euro sot nga 198 milionë euro në vitin 2022.
