Keqtrajtimi dhe braktisja e fëmijëve nga prindërit, janë rastet që po ndodhin më së shumti në Kosovë. Vetem gjatë ditës së djeshme, janë paraqitur tre raste të tilla në Policinë e Kosovës.
Në Prishtinë, njësiti policor gjatë planit operativ ka hasur të dyshuarin duke kërkuar lëmoshë, së bashku me dy fëmijët e tij. I dyshuari është shoqëruar në polici dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin rasti është liruar në procedurë të rregullt.
Rast i njejtë ndodhi edhe në Pejë e në Gjilan.
Sipas njoftimit, në Pejë një grua është shoqëruar në Polici pasi bashkë me fëmijën e saj 3-muajsh ka dalë të kërkojë lëmoshë. E dyshuara pas intervistimit në prezencë të Qendrës për Punë Sociale në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq në Gjilan një grua me gjendje të rëndë psikike ka keqtrajtuar fëmijën e saj. Policia ka bërë të ditur se e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor psikiatrik në Spitalin e Gjilanit. Fëmija pas trajtimit mjekësor u është liruar familjarëve. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti vazhdon të hetohet.
