Reklamimi i Shqipërisë, veçanarisht të bregdeteve të saj nga gazetat prestigjoze por dhe interesimi i markave ndërkombëtare të hotelerive për të investuar në Shqipëri, kanë rritur këtë sezon veror prenotimet nga turistët me 20-30% që në fillim të majit.
Kjo edhe pasi platforma të ndryshme sociale por kryesisht reklamimi në Tik Tok i Shqipërisë, kanë ndikuar në boom-in e turistëve këtë sezon sipas operatorëve turistikë.
Ndërkaq, agjencitë turistike raportojnë se Shqipëria po konsiderohet nga të huajt e të gjitha grup-moshave si “thesari i pazbuluar” i Ballkanit teksa shumë shtete tashmë janë ezauruar për turistët.
“Rritja e prenotimeve është mbi 20-30% kjo dhe për faktin e reklamave pozitive që kemi pasur nga vendet e tjera të cilat po e shohin Shqipërinë si një vend ekzotik, si një vend i pazbuluar dhe ka interes të madh. Ne këtë vit presim fluks turistësh nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja. Nga mbretëria e bashkuar për shkak të PR pozitiv që kemi pasur nga gazetat që merren me turizmin si BBC Travel, The Mirror, The Guardian, The Sun. Po ashtu edhe në Spanjë ku interesi është për shkak të emrave gjigand të hotelerive spanjolle po vijnë dhe po investojnë në Shqipëri,” shprehet operatori turistik, Frenkli Prengaj.
