Gramoz Aliu, i njohur me emrin Mozzik, ka përfunduar të martën në Polici, në cilësinë e personit të dyshuar, lidhur me një rast të kanosjes.
Reperi nga Ferizaj, është intervistuar në Polici më 16 maj, pasi dyshohet se ka kërcënuar një person, po atë ditë, në lagjen Panorama, ku edhe jeton.
Sipas informacioneve të para, Mozzik e ka kanosur me armë një person, në afërsi të shtëpisë së viktimës, si pasojë e një mosmarrëveshje momentale që kanë pasur me njëri – tjetrin dhe situata eskaloi në kërcënime.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që ta raportojë rastin në Polici, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe i dyshuari, Mozzik, ka dhënë deklaratë para hetuesve lidhur me denoncimin kundër tij.
Ndër të tjera, gjatë dëshmisë së tij, reperi e ka mohuar se e ka kërcënuar me armë personin në fjalë, duke shtuar se armën nuk e ka ekspozuar fare. Por për shkak të dyshimeve të ngritura, është urdhëruar sekuestrimi i armës, për të cilën Mozzik posedon leje.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj reperit në drejtim të dy veprave penale “Kanosje” dhe “Përdorim i armës”.
“I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt pasi kanosja nuk ka qenë e atij niveli shumë serioz. Kanosja ka ekzistuar mirëpo nuk ka qenë me seriozistet për rrezik se mund të përsëritet, prandaj nuk është ndaluar. Arma me leje është sekuestruar. Dy dëshmi i kemi lidhur me rastin dhe hetimet janë duke vazhduar në këtë drejtim”, ka thënë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
