Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirë shefin e EULEX-it, Ambasadorin Lars-Gunnar Wigemark. Në takimin me Ambasadorin Wigemark, Presidentja Osmani diskutoi edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe për bashkëpunimin e institucioneve të Republikës së Kosovës me EULEX-in për tejkalimin e këtyre sfidave.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e EULEX-it në promovimin e sundimit të ligjit dhe theksoi përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve të Kosovës për të arritur qëllimet e sigurisë dhe sundimit të ligjit në secilën pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dekoroi shefin e EULEX-it me medaljen presidenciale për sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë e partneritetit mes institucioneve të Kosovës dhe organizatave partnere ndërkombëtare që operojnë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
