Osmani në Parlamentin Evropian: Ka ardhur koha që të bëhen hapa në rrugën drejt BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në adresimin e saj në seancë plenare në Parlamentin Evropian, ka theksuar se përkundër mungesës së drejtësisë dhe vuajtjeve të mëdha ndër vite, Republika e Kosovës dhe populli i saj vazhdojnë të shikojnë nga e ardhmja evropiane.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë adresimit të saj në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova vazhdon të shikojë nga e ardhmja evropiane.

E para e shtetit tha se Kosova ua ka shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë fqinjëve, pasi sipas saj, njerëzit meritojnë një të ardhme më të ndritur.

“Institucionet e Kosovës duan paqe të qëndrueshme duke e pas drejtësinë në themel të saj, stabilitet duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial dhe me fokus në marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha Osmani.

Osmani më tej tha se përparimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian do të shërbejë si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, historikisht, mbjellin përçarje.

“Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike”, ka potencuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, Kosova është pjesë integrale e Evropës, ndaj ka ardhur koha që Kosova të bëjë hapa domethënës përpara në rrugën e saj drejt BE-së.

“Ne jemi këtu pranë jush dhe jemi pjesë e kësaj familjeje, sepse një Evropë e tërë, e lirë dhe në paqe është e mundur vetëm kur jemi të gjithë këtu, në këtë Parlament, si të barabartë, duke promovuar dhe mbrojtur Evropën kolektivisht”, është shprehur Presidentja Osmani.

“Vendi i merituar i Kosovës në familjen e BE-së jo vetëm që do ta pasurojë kombin tonë, por gjithashtu do të forcojë vetë themelet mbi të cilat u ndërtua Bashkimi Evropian dhe do të forcojë kontinentin tonë përmes unitetit gjithnjë e më të madh”, u shpreh Osmani.