Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i është bashkuar sot aksionit për pastrimin e hapësirave përreth Liqenit të Batllavës, bashkë me disa anëtarë të ekzekutivit komunal.
Në këtë aksion kanë marrë pjesë nxënës të shkollave të mesme, mësimdhënës në nivel komune, shoqata e peshkatarëve dhe përfaqësues nga shoqëria civile. Ndërsa, pasdite këtij aksioni i është bashkuar edhe Kompania Regjionale “Pastrimi”.
Pas përfundimit të këtij aksioni, Bulliqi bëri të ditur se ky aksion do të vazhdojë edhe me datë 26 maj, ku numri i atyre që do të kontribuojnë, do të jetë më i madh se ai i ditës së sotme.
“Sot ju bashkova aksionit për pastrimin e hapësirave përreth Liqenit të Batllavës, ku bashkë me nxënës të shkollave të mesme, shoqatën e peshkatarëve dhe përfaqësues nga shoqëria civile kemi nisur nisur aksionin për largimin e mbeturinave në hapësirat pranë liqenit.
Ky aksion do të vazhdojë edhe më 26 maj, ku me numër shumë më të madh të të gjitha institucioneve, nxënësve e qytetarëve do të kujdesemi që e gjithë hapësira përreth liqenit të pastrohet. Këtij aksioni për pastrim i janë bashkuar pasdite edhe Kompania Regjionale “Pastrimi”, ndërsa gjatë ditës nxënësit e shkollave dhe mësimdhënësit në nivel komune kanë pastruar hapësirat e jashtme të shkollave”, shkruan ai.
Tutje kryetari i’u bën apel të gjithë atyre që vijnë ta vizitojnë këtë hapësirë të bukur për pushim e rekreacion, të përkujdesen duke e ruajtur nga ndotja.
