Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq raportohet se e ka informuar ambasadorin amerikan, Christopher Hill rreth “rritjes së situatës së vështirë” dhe sfidave me të cilat po përballen qytetarët serbë në Kosovë.
Mediumi “Kosovo-Online” raporton se Vuçiq gjatë takimit ka thënë se situata po bëhet më e vështirë çdo ditë, dhe se serbët po përballen “thuajse çdo ditë me sulme, arrestime dhe presion tjetër”.
“Vuçiq ka thënë se situata e serbëve që jetojnë në Kosovë po bëhet më e vështirë çdo ditë, dhe se po ekspozohen thuajse çdo ditë me sulme, arrestime e presione të tjera të drejtuara ndaj pakqënaqësive të qytetarëve për shkak të veprimeve ilegale të autoriteteve në Prishtinë dhe mungesën e reagimeve adekuate nga komuniteti ndërkombëtar.” – thuhet në komunikatën e presidencës serbe.
Po ashtu, thuhet se Vuçiq ka deklaruar se Serbia është gati t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut.
Mes tjerash është përmendur se presidenti serb pret përkrahjen e ShBA-së për paqe në rajon, duke iu referuar fillimisht formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nuk dihet ndërkaq se çfarë ka deklaruar Hill në këtë takim.
