Avokati i Thaçit thotë se disa deklarata të ish-gazetarit të Tanjugut janë kontradiktore

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, është duke i shtruar pyetje Nebosja Radojsha Radosheviq, gazetar i Tanjugut, i cili dje ka dhënë dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Kehoe tha se deklaratat e Radosheviqit janë kontradiktore. Fjala është për hyrjen në zonë të UÇK-së, më 18 tetor dhe për grupet e UÇK-së të cilat Radosheviq pretendon se i ka parë.

Kehoe e pyeti gazetarin e Tanjugut se a ishte në dijeni që Adem Demaçi i lëshonte lejet për qarkullim në zonat ku kontrolloheshin nga UÇK-ja.

Ai u përgjigj duke thënë se nuk ishte në dijeni:

Kehoe: Dje po flisnim për ndalimin e UÇK-së, 18 tetor. Ju na thatë dje që nuk kishit shenja të shtypit dhe nuk kishit autorizim nga Adem Demaqi për të udhëtuar në zonën e UÇK-së. Demaçi lëshonte autorizimet për mediat për të shkuar në zonat e UÇK-së, nuk e dinit këtë?

Radosheviq: Jo! Nuk e dija.

Kehoe: Ju keni takuar përfaqësues të shtypit në Serbi dhe keni diskutuar çfarë ndodh në Kosovë?

Radosheviq:Po e vërtetë.

Kehoe: Në asnjë moment nuk e mësuat se Demaçi lëshon autorizime për pjesëtarët e shtypit për të shkuar në zonën e UÇK-së?

Radosheviq: Po, nuk e kam ditur.

Tutje, avokati Kehoe tha se deklaratat e Radosheviqit në Gjykatën Speciale janë kontradiktore me ato të vitit 2012.

Kehoe u shpreh se numri i pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët dëshmitari pretendon se i ka parë, dallon me atë që ia ka thënë ZPS-së vite më parë:

Kehoe: Ju thatë që ecët dhe 50 metra vazhduat edhe 50 metra derisa u kthyet, kjo nuk është e saktë apo jo?

Radosheviq: Unë them që është e saktë, 50 a po 100 metra pastaj u kthyem pas.

Kehoe: Në faqen 91 në transkriptin e djeshëm e keni pranuar që e keni vazhduar dhe e keni kaluar mespërmes pikën e UÇK-së 500 metra pastaj u kthyet në pikën e kontrollit, ju u përgjigjët që është kështu. Në deklaratën e 2012-tës, prova materiale, këtu thoni pas 500 metrash ne kuptuam që kishte një pikë kontrolli të UÇK-së. Ju thatë në 2012 keni thënë 500 metra, edhe ZPS-së i keni thënë 500 metra?

Radosheviq : Po 100, 150 metra 200, çfarë rëndësie ka.

Kehoe: Ju vazhduat gjysmë kilometri, pastaj patë një pikë tjetër kontrolli

Radosheviq :Jo, nuk pamë asnjë pikë tjetër kontrolli, por kuptuam që po avanconim më tej në territor të UÇK-së, dhe ne kthyem automjetin pas, dhe thamë “Zoti na ndihtë”, por fatmirësisht na liruan.

Kehoe: Do ju kujtoj çka i keni thënë ZPS-së, me 6 tetor. Ju keni thënë kështu, keni sqaruar nuk kanë qenë 8 apo 10 pjesëtarë të UÇK-së, por keni thënë se ishin 15 ose 20 persona, por 8 ose 10 në një anë të rrugës kurse tjetri grup në kodër…. Keni kaluar mespërmes kontrollit, nuk kishit shenja identifikimi, nuk kishit leje nga Demaçi, i anashkaluat pjesëtarët e UÇK-së, vazhduat rrugën dhe patë që në

kodër kishte anëtar të UÇK-së, vendosët të ktheheshit sepse ju kapën, sepse nuk kishit nga të shkonit?

Radosheviq: Jo, së pari po zbrisnim kodrën, nuk po ngjiteshim, ne e pamë një fshat. Vazhduam 250 metra sa të duash, aty vendosim të ktheheshim, një grup ishte në një anë të rrugës dhe në të djathtë në kodër ishin 4 apo 5 anëtarë të UÇK-së.

Kehoe: Ju po udhëtoni mes dy grupeve të UÇK-së?

Radosheviq: Jo, pra!

Kehoe: Kështu i ke thënë prokurorisë. Keni thënë në rrugën ku u ndaluam, kishte pjesëtarë të UÇK-së në kodër, ju ngecët mes dy grupeve. Grupit që anashkaluat dhe grupit në kodër. Pra ju ngecët?

Radosheviq : Ka keqkuptim. Ne e tejkaluam grupin e parë, zbrisnim kodrën e pamë një fshat. Pas qindra metrash, u kthyem, i njëjti grup ishte në të majtë, kur u kthyem pamë disa të tjerë diku pak më larg në kodër. Po flasim për të njëjtin grup.

Kehoe: Ju kaloni grupin e parë, shihni një grup tjetër në kodër, dhe pikërisht në këto momente vendosët të ktheheni prapa. Vazhdon të këmbëngulësh. Kaluam grupin e parë, u kthyem, kur u kthyem pamë të njëjtin grup që pamë herën e parë, por u kthyem edhe një grup tjetër.

Kehoe: Ndryshon me versionin që ia ka thënë ZPS-së.